Departamenti i Psikologjisë dhe Punës sociale, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, i Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi", në bashkëpunim me departamentin e Punës dhe Politikës sociale, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, departamenti i Shkencave Sociale, të Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Universiteti i Elbasanit "Aleksandër Xhuvani" dhe Shoqata Kombëtare e Punonjësve socialë të Shqipërisë, organizuan më 19-20 tetor 2018, Konferencën e dytë Shkencore Ndërkombëtare "Arritjet dhe sfidat e profesionit të punës sociale në Shqipëri” Qëllimi i Konferencës ishte hulumtimi, zhvillimi dhe promovimi i qasjeve të ndryshme të kërkimit shkencor dhe praktikave të punës sociale, me qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të punës sociale në Shqipëri, Evropë dhe më gjerë.
Në këtë konferencë pati pjesëmarrje të gjerë të studiuesve, jo vetëm nga universitet shqiptare, por dhe universitetet e huaja, si Universiteti i Firences (Itali), Universiteti Complutense i Madridit (Spanjë), Instituti Universitar i Lisbonës (Portugali), etj. Konferenca mblodhi së bashku pedagogë dhe kërkues shkencorë si dhe profesionistë të punës sociale nga vendi dhe Evropa, përfaqësues të institucioneve publike si Bashkia Shkodër, të organizatave të profesionistëve si Urdhri i Punonjësit social i Rajonit të Toskanës (Itali), të shoqërisë civile si Organizata “Save the Children”, si dhe studentë, të cilët përmes paraqitjes së punimeve shkencore patën mundësinë për të shkëmbyer përvojat e tyre të lidhura me tematikat kryesore të konferencës.
Punimet e konferencës u paraprinë nga dy pre-conference workshop-e: “Kujdesi alternativ dhe dokumentimi i interesit më të lartë të fëmijës” dhe “Barrierat e komunitetit LGBTI për të pasur shërbime ligjore dhe akses në drejtësi”, të cilat u zhvilluan në pasditen e datës 18 tetor 2018.
Seanca plenare u zhvillua ditën e premte, më 19 tetor 2018, ora 10:00, në sallën e Konferencave të Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Seancën plenare e hapi dhe e moderoi drejtori i departamentit Psikologji – Punë sociale, dr. Visar Dizdari, i cili pasi u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve, përshëndeti dhe falënderoi bashkëpunëtorët për organizimin e konferencës. Ndër të tjera, dr. Dizdari theksoi rëndësinë e këtij eventi jo vetëm në aspektin shkencor, por edhe në drejtim të evidentimit të arritjeve dhe sfidave të punës sociale në Shqipëri si dhe të promovimit të profesionit të punonjësit social.
Për të nderuar këtë event, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Adem Bekteshi, në një fjalë të përzemërt përshëndetëse, ndër të tjera u shpreh: “Këtë aktivitet e vlerësoj si shprehje e dëshirës dhe e vullnetit komunikues të komunitetit kërkues dhe të profesoriatit të universiteteve shqiptare për arritjen e rezultateve gjithnjë e më të mira në përgatitjen e punonjësit social”. Në fjalën e tij të hapjes, rektori i Universitetit të Shkodrës, përgëzoi departamentin Psikologji – Punë sociale për organizimin e konferencës dhe u uroi suksese referuesve në këtë aktivitet shkencor ndërkombëtar.
Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Mynyr Koni, e vlerësoi si të frytshëm dhe si një model shumë të mirë bashkëpunimin e tri departamenteve respektive të tri universiteteve për organizimin e kësaj konference me dimension ndërkombëtar.
Përshëndeti konferencën edhe Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi, e cila theksoi se hapja e Drejtorisë së Shërbimeve sociale, Strehimit dhe Shëndetit publik, si dhe e Qendrave komunitare për familjen, është një mundësi e mirë për qytetin e Shkodrës. Kryetarja Ademi u ndal gjithashtu në rolin që ka punonjësi social, si dhe prezantoi synimet e Bashkisë Shkodër për të ardhmen.
Në emër të rektorit të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, përshëndeti konferencën dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, prof. as. dr. Valentina Haxhiymeri. Ajo shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë konferencë dhe shfaqi entuziazmin e saj në lidhje me rëndësinë e këtij eventi shkencor. Në fjalën e saj znj. Haxhiymeri, theksoi nevojën për të promovuar dhe zhvilluar më tej profesionin e punonjësit social edhe përmes aktiviteteve të tilla të përbashkëta mes tri universiteteve, e më gjerë.
Konferenca i vazhdoi punimet e saj në dy seanca plenare, “Modelet e mirëqenies evropiane” dhe
“Decentralizimi i shërbimeve sociale në Shqipëri. Rasti i Bashkisë së Shkodrës”.
Në vazhdim, konferenca vijoi punimet e saj me prezantimet e punimeve shkencore sipas tri sesioneve paralele. Sesioni i parë “Praktika e punës sociale, politikat sociale, mirëqenia" u moderua nga Galsvinda Biba, Izela Tahsini, Darina Kacollja, sesioni i dytë "Edukimi, çështje psikologjike" u moderua nga Brilanda Lumanaj, Fiona Todhri, Elvira Dode dhe sesioni i tretë u moderua nga Bujanë Topalli, Juliana Ajdini dhe Valbona Muça.
Punimet e paraqitura në këto sesione, të cilat arritën numrin 57, kishin interes të lartë për pjesëmarrësit dhe nxitën diskutime mes profesionistëve. Kryesisht punimet ishin të fokusuara në shtyllat kryesore të praktikës së punës sociale në Shqipëri, siç janë praktika e punës sociale me fëmijët, familjen, grupin dhe komunitetin, arsimi, shëndeti, TIK në punën sociale, mirëqenia sociale, drejtësia, çështjet psiko – sociale dhe arsimore.
Konferenca përmbushi misionin e saj duke u përmbyllur me një larmishmëri konkluzionesh dhe rekomandimesh të rëndësishme referuar tematikave të ndryshme të përfshira në sesionet përkatëse të saj. Konkluzionet dhe rekomandimet e punimeve të prezantuara në këtë event do t’u shërbejnë aktorëve të ndryshëm të interesit që operojnë në praktikat e punës sociale dhe me gjerë.
Në konferencë ishin të ftuar edhe përfaqësues të mediave lokale të cilët me profesionalizëm pasyruan kronikën përmbledhëse të eventit.
Konferenca u mundësua edhe falë mbështetjes financiare të kompanisë ABCom dhe të organizatës Save the Children.